“Bashkëpunimi ndërinstitucional në kontekstin e integrimit në BE”. BpE organizon takim të zgjeruar pune

  • Posted on: 8 November 2019
  • By: admin

Raporti “Legjislacioni i Bashkimit Evropian dhe qeverisja vendore në Shqipëri” i hartuar në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja “Bashkitë për në Evropë” thekson përgjegjësinë kryesore të autoriteteve vendore në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian

DURRES, 7 NËNTOR 2019 - Njësitë e BE-së nga 61 bashkitë dhe përfaqësuesit e ministrive të linjës u mblodhën javën e kaluar në Durrës për të diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional në kontekstin e integrimit në Bashkimin Evropian. 

Raporti “Legjislacioni i Bashkimit Evropian dhe qeverisja vendore në Shqipëri” i hartuar në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja “Bashkitë për në Evropë” thekson përgjegjësinë kryesore të autoriteteve vendore në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. 

Mario Mariani, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri theksoi se, sipas studimit, pothuajse 70% e acquis të BE-së kërkojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të autoriteteve vendore, zëri i tyre duhet të kërkohet dhe të merret në konsideratë.

Diskutime dhe shkëmbime intensive janë zhvilluar gjatë ditës së parë të Takimit të Punës me drejtuesit dhe specialistët e njësive të integrimit evropian në 61 Bashkitë e Shqipërisë, mbi problemet e identifikuara gjatë procesit të matjes së performancës për procesin e integrimit evropian për vitin 2018.

Cilësia e të dhënave apo mungesa e tyre, angazhimi i strukturave të pushtetit lokal dhe problemet e hasura, për qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e punës së Njësive të Integrimit në të 61 Bashkitë e Shqipërisë, ishin disa prej çështjeve të ngritura nga përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore, të cilat morën përgjigje nga ana e drejtueses dhe ekspertëve të projektit “Bashkitë për në Evropë”.

U shpalos për herë të parë një risi absolute, sistemi online i plotësimit të matricës dhe vlerësimit të performancës për vitin 2019, për të cilin Z. Orlando Fusco, Menaxher Programi në Delegacionin e BE-së në Tiranë, tha se “do të jetë një ushtrim i vështirë por tejet i dobishëm. Mbi të gjitha i vlefshëm sepse do të lehtësojë punën e strukturave lokale, e në të njëjtën kohë do të shërbejë si një burim i shpejtë dhe i besueshëm informacioni për qytetarët dhe aktorët lokalë, mbi atë çfarë ka shkuar mirë dhe shtigjet ku ka nevojë për përmirësime”.

Takimi i zgjeruar i punës, i organizuar nga “Bashkitë për në Evropë” në ditën e tij të dytë është fokusuar në forcimin e bashkëpunimit mes strukturave të pushtetit qendror dhe atyre të qeverisjes lokale, me pjesëmarrje të drejtuesve të lartë të Delegacionit të BE, si dhe të Ministrisë së Brendshme.