“Bashkia e të rinjve” / Këshilli Bashkiak Roskovec, për një ditë “në duart” e të rinjve të qytetit

  • Posted on: 7 May 2019
  • By: admin

Roskovec, 7 Maj 2019 - Njësia për Koordinimin e Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj në Bashkinë Roskovec, organizoi aktivitetin “Bashkia e të Rinjve”.

Në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të qytetit, të rinjtë e shkollave “Adem Vrapi” dhe “Didin Bishani”, senatorët e këtyre shkollave të mesme bashkë me drejtuesit e tyre, kanë diskutuar me anëtarët aktualë të Këshillit Bashkiak, në një mbledhje të posaçme të këtij Këshilli, e cila është ndjekur edhe nga Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, znj. Majlinda Bufi.

Të rinjtë pasi u njohën nga sekretarja dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak me proçedurat e përdorura në një mbledhje të zakonshme Këshilli, miratuan rendin e ditës dhe diskutuan mbi nevojat dhe problematikat e tyre. 

Të rinjtë kanë parashtruar nevojat e tyre, ndërkohë që kanë shkëmbyer me anëtarët e këshillit bashkiak, idetë që ata kanë për zhvillimin e qytetit, dhe posaçërisht përmirësimin e kushteve dhe krijimin e më shumë mundësive për bashkëmoshatarët e tyre.

Kryetarja e Bashkisë znj. Majlinda Bufi, duke marrë shkas edhe nga mesazhet e vullnetarizmit dhe angazhimit qytetar, që janë temë e rëndësishme e Javës së Evropës për 2019, u bëri thirrje të rinjve që të jenë më të angazhuar dhe këmbëngulës në parashtrimin e kërkesave dhe ideve që kanë pranë pushtetit lokal, si dhe të ndjekin më nga afër proceset vendim-marrëse.

Njësia e Integrimit Evropian pranë Bashkisë Roskovec, e cila është lidhëse, ndërmjet të rinjve dhe Bashkimit Evropian, do të vazhdojë të organizojë aktivitete të tilla me grupe të ndryshme interesi në qytetin e Roskovecit.