“Bashkitë në Procesin e Integrimit të Shqipërisë në BE”. Prezantohet në Vlorë raporti i dytë i vlerësimit

  • Posted on: 6 February 2020
  • By: admin

“Roli i autoriteteve rajonale dhe lokale në procesin e integrimit në BE dhe zbatimi eventual i rregullave të BE-së duhet të merret në konsideratë. Duhet të gjendet një ekuilibër i duhur midis qeverive qendrore, rajonale dhe lokale, i cili mbështet fort zbatimin e reformave dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët - kjo është mënyra se si Komisioni Evropian thekson rolin e Bashkive në Dokumentin për Politikën e Zgjerimit të BE-së.

Sot në Vlorë, "Bashkitë për në Evropë", një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës, zhvilluan një debat publik mbi punën e bërë nga bashkitë e Shqipërisë në lidhje me integrimin në BE, në kuadër të prezantimit të Raportit të dytë "Bashkitë në Procesin e Integrimit të Shqipërisë në BE”
(në këtë link gjeni tekstin e plotë: http://bpe.al/sites/default/files/publications/Bashkite-ne-Procesin-e-Integrimit-te-Shqiperise-ne-BE.pdf).

“Administrata lokale luan një rol shumë të rëndësishëm: njësoj siç ndodh në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, zbatimi i Acquis të BE-së në Shqipëri, mbështetet tek bashkitë e vendit në një masë prej 70%”, kujtoi Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Sh. T. Z. Luigi Soreca. Ai inkurajoi të gjitha bashkitë, që të përdorin këtë raport të vlefshëm në punën e tyre në vazhdim, dhe që së bashku – autoritetet dhe qytetarët – të gjejnë mënyra për të përmirësuar nivelin e shërbimeve publike, dhe më në përgjithësi performancën e tyre, sa i përket integrimit në BE.

Raporti i Vlerësimit i vitit 2018 sheh një rritje të zotërimit të procesit nga ana e Qeverisë shqiptare. Ministria e Brendshme është e përkushtuar që ky ushtrim të jetë i përvitshëm, si dhe të realizohet nën udhëheqjen e saj.

Në takim morën pjesë Zëvendës Ministri i Brendshëm, Z. Julian Hodaj, Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dr. Dritan Leli, zyrtarë të qeverisjes vendore, anëtarë të këshillit bashkiak të qytetit, përfaqësues të OJF-ve, si dhe të rinj dhe studentë nga Universiteti i Vlorës.