“Ec me ne!”, të rinjtë e Tropojës aktivitete ndërgjegjësuese në Javën e Lëvizshmërisë

  • Posted on: 19 September 2019
  • By: admin

16 SHTATOR 2019 – Java Europiane e Lëvizshmërisë ka ardhur me një sërë aktivitetesh për Njësinë e Integrimit Evropian në Bashkinë e Tropojës. Edhe Tropoja, ashtu sikurse dhe qytete të tjera të Shqipërisë, është bërë pjesë e aktiviteteve që po zhvillohen në mbarë evropën, në kuadër të një prej fushatave më të rëndësishme të mbështetura nga Komisioni Evropian, e cila promovon një transport të pastër dhe të qëndrueshëm për qytetet tona.

Nën thirrjen “Ec me ne!”, Njësia e Integrimit Evropian në bashkëpunim me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Konferenca e Bujanit” në qytetin e Bajram Currit, realizoi aktivitetete edukative dhe argëtuese me nxënësit e klasës së shtatë. Pjesë e këtyre aktiviteteve ishte Z. Bylbyl Hyka profesor i autoshkollës, si dhe vullnetarë të Korpusit të Paqes.

“Siguria në rrugë” ishte një prej temave që u prek veçanërisht në detaje, teksa profesori shpjegoi sinjalistikat e këmbësorëve dhe theksoi respektimin e tyre nga të gjithë. Gjithashtu, aktiviteti vazhdoi me lojëra argëtuese dhe me vizatime në kuadër të Javës Europiane të Lëvizshmërisë.

Që nga viti 2002, Java Evropiane e Lëvizshmërisë është fokusuar në përmirësimin e shëndetit publik dhe cilësisë së jetës, përmes promovimit të një transporti publik të qëndrueshëm. Fushata u jep njerëzve shansin që të eksplorojnë rolin e rrugëve të qyteteve si dhe eksperimentojnë me zgjidhje praktike, për të përballuar sfidat urbane, si për shembull ndotja.

Njësia e Integrimit Evropian në bashkinë Tropojë do të vazhdojë të organizojë aktivitete sensibilizuese me të rinjtë e qytetit, duke ndjekur kalendarin e ditëve dhe javëve evropiane.