“Europa pro & kundër”. Gjimnazistët e “Qemal Stafës”, një shembull i përsosur i kulturës së debatit

  • Posted on: 9 May 2019
  • By: admin

9 MAJ – Në Ditën e Evropës, në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen në të 61 Bashkitë e vendit, Këndi i BE-së pranë Bashkisë Tiranë në bashkëpunim me shkollën e Mesme të Përgjithshme “Qemal Stafa”, kanë organizuar një debat mes të rinjve të shkollës me temën “Europa: Pro & Kundër”.

Të ndarë në dy grupe, dhe në praninë e bashkëmoshatarëve të tyre, të rinjtë e “Qemal Stafës”, kanë debatuar përmes argumentave – dhe me një kulturë shembullore debati – pro dhe kundër procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Këtë seancë e ka përshëndetur Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Z. Andi Seferaj, ndërkohë që të pranishëm kanë qenë Drejtuesja e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, Znj. Jolanda Trebicka, Drejtorja e Shkollës “Qemal Stafa”, Znj. Nina Guga, si dhe mësues të kësaj shkolle.

A përfiton ekonomikisht Shqipëria nga anëtarësimi në BE, apo ky proces i anëtarësimit nuk do të sjellë një përmirësim të gjendjes për shqiptarët?

A ia vlen që Shqipëria të shkrihet në një me vendet e tjerë anëtarë, apo anëtarësimi do të sillte braktisjen e vlerave kombëtare dhe patriotike?

A ia vlen që përmes anëtarësimit në BE, Shqipëria të humbasë sovranitetin, apo duhet të qëndrojë jashtë Unionit?

A është lëvizja e lirë që sjell bërja pjesë integrale e Unionit, një avantazh apo një disavantazh për popullsinë në Shqipëri?

A vlen që Shqipëria të vazhdojë e vendosur në rrugën e anëtarësimit, duke parë forcimin e euroskepticizmit, largimin e Britanisë së Madhe, dhe të tjera ngjarje që po ndodhin aktualisht në Bashkimin Evropian?

Përmes një elokuence të jashtëzakonshme dhe argumentave të forta, nxënësit e “Qemal Stafës” u angazhuan në një debat të fortë, por duke ofruar një model të kulturës së diskutimit dhe respektit për kundërshtarin, që mund të shërbejë si shembull edhe për vendim-marrësit e të gjithë niveleve.

Në përfundim të debatit, Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Z. Andi Seferaj dhe Drejtuesja e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, Jolanda Trebicka, kanë pararshtruar një seri argumentash, përse rruga drejt Bashkimit Evropian është në të njëjtën kohë edhe drejtimi për një të ardhme më të mirë për vetë të rinjtë.

“Këshilla ime është të studioni fort, duke mbajtur kokën nga Evropa, por këmbët të ngulura fort tek ky vend. Sepse ju jeni shpresa reale që ky vend të bëhet”, ka qenë mesazhi i Nënkryetarit të Bashkisë.

Në përmbyllje të debatit, drejtuesja e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, Znj. Jolanda Trebicka ka bërë një prezantim për të rinjtë, në lidhje me mundësitë që programet e Bashkimit Evropian ofrojnë për të ardhmen e tyre, në fushën e studimeve dhe karrierës, duke u përqëndruar veçanërisht në programin Erasmus+.

Koordinatorja e Këndit të BE në Bashkinë Tiranë, Znj. Blerta Tuci ka informuar gjimnazistët për shërbimet informuese që ofrohen në këtë Kënd. Aktiviteti me të rinjtë e Gjimnazit Qemal Stafa ishte i dyti në radhë, që Këndi i BE në Bashkinë Tiranë zhvillon në kuadër të Javës së Evropës. Javë e cila këtë vit i dedikohet tërësisht të rinjve, nën moton “Fuqia e Rinisë”