“Koordinimi i ndihmës së Huaj”, Bashkitë për në Evropë vazhdon trainimet e Njësive të Integrimit në Bashkitë e Shqipërisë

  • Posted on: 18 June 2020
  • By: admin

Projekti “Bashkitë për në Evropë”, në bashkëpunim me ASPA-n nuk e ka ndaluar për asnjë moment punën sa i përket trainimeve të përgjegjësve dhe specialistëve të Njësive të Integrimit Evropian në të gjitha bashkitë e Shqipërisë, edhe gjatë këtyre kohëve të kufizimeve të shkaktuara prej pandemisë së Covid-19, duke përshtatur seancat e trainimit me teknologjinë online.

Në datat 8 deri 11 qershor 2020, “BpE” ka vijuar me koordinatorët lokalë, trainimin me temë “Koordinimi i Ndihmës së Huaj”, në partneritet me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike. Këto trainime janë pjesë e kurikulës për integrimin evropian në nivel vendor. 

Trainimet, të cilat janë zhvilluar online nëpërmjet sistemit webinar të ASPA-s, janë fokusuar në tema të tilla si sistemi i planifikimit të integruar dhe parimet bazë të tij; kuadri strategjik zhvillimor dhe lidhja me prioritetet e programet për financim; si edhe  strukturat dhe koordinimi ndër-institucional sa u përket e financimeve të huaja. Ekspertja Valbona Kuko ka ofruar eksperiencën e vet në seancat e trainimit në të dyja ditët, ndërkohë që Alda Dekovi, eksperte e BpE ka koordinuar të gjithë procesin, ashtu si edhe gjatë të gjithë trainimeve të tjera të kryera gjatë dy muajve të fundit.

Drejtuesit dhe specialistët e rinj të Njësive të Integrimit janë trainuar në lidhje me financimet mbi bazë sektori dhe me bazë projekti; financimet individuale dhe ato shumëpalëshe, si dhe me tema si procesi i negociimit dhe miratimit të Marrëvedhjeve Dypalëshe/Shumëpalëshe, të gjitha këto shumë të rëndësishme në punën e tyre në institucionet respektive.

Gjatë trainimit janë zhvilluar edhe seanca ushtrimore me personat e trainuar të ndarë në grupe, për të përshkruar zbatimin në praktikë të leksioneve të marra gjatë seancave të trainimit.

Bashkitë për në Evropë do të vazhdojë të realizojë trainime të këtij lloji edhe gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme. / bpe.al