“Nga zotërimi i procesit, drejt qëndrueshmërisë”: Takimi Prezantues i Fazës së II-të për Projektin “Bashkitë për në Evropë”

  • Posted on: 5 April 2019
  • By: admin

1 Prill, 2019 Projekti “Bashkitë për në Evropë”, prezantoi Fazën e II-të të tij përmes Takimit të parë Koordinues me 61 Njësitë e Integrimit Evropian/Koordinatorët në Nivel Vendor. Ky takim pune u organizua në formën e një bashkëbisedimi dhe hedhje idesh, duke zyrtarizuar procesin e Fazës së Vlerësimit Paraprak/Inception për këtë mandat të dytë të Projektit.
Me pjesëmarrjen e Z. Mario Mariani, Shefi i Bashkëpunimit, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, Z. Orlando Fusco, Menaxher i Programit,  Delegacioni i BE-së, Znj. Jolanda Trebicka, Drejtuese e Ekipt të BpE, si dhe Z.Bekim Murati, Drejtor i Agjencisë për Vetëqeverisjen Vendore-AMVV dhe Znj. Klea Maliqi, Drejtoreshë e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike-ASPA, ashtu si dhe me pjesëmarrjen aktive të Drejtuesve/Koordinatorëve të Njësive të Integrimit Evropian në të 61 Bashkitë e vendit, diskutimet në takimin e punës u fokusuan tek arritjet e fazës së parë të këtij projekti, si dhe në strategjinë që do të përdoret në të ardhmen.
“Ne e mirëpresim ndryshimin e dukshëm në sjelljen tuaj si përfitues, që tashmë “e keni përvetësuar më së miri organizimin e aktiviteteve” dhe organizoni vetë shumë takime publike. Ky është një nga rezultatet më të rëndësishme të Projektit “Bashkitë për në Evropë”, u shpreh Z. Mariani. Ai theksoi rolin specifik që duhet të luajnë Njësitë e Integrimit Evropian, në rritjen e ndërgjegjësimit mes kolegëve dhe në administratën e tyre. “Më shumë se 50% e legjislacionit të BE-së (Acqui Communitaire) zbatohet në nivel vendor. Ndaj, është thelbësore që administrata juaj vendore të jetë e mirë-informuar mbi një proces kaq të rëndësishëm. Shpërndarja sa më gjerësisht në ofrimin e informacionit për komunitetin tuaj, puna me të rinjtë për t’i shpjeguar atyre mundësitë që ofron Bashkimi Evropian, sa i përket trajnimit profesional dhe arsimit, duhet të jenë fokusi kryesor i punës së Njësive të Integrimit në të ardhmen”. 
Drejtuesit e Njësive shkëmbyen këndvështrimet e tyre në lidhje me zbatimin e fazës së parë të Projektit, veçanërisht sa i përket disa problematikave dhe vështirësive të hasura gjatë punës së tyre. Përfaqësuesit e Delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe Ekipi i Projektit theksuan faktin se “në tërësi suksesi i fazës së parë, ashtu si dhe klima e ndërtuar tashmë e bashkëpunimit, duhet të shërbejnë si themele të forta për të punuar e ndërhyrë me përmirësimet e duhura për fazën e dytë, me qëllim arritjen e një niveli edhe më të lartë bashkëpunimi mes projektit, përfituesve, institucioneve të tjera dhe projekteve të tjera të qeverisjes në nivel vendor të  mbështetura nga Bashkimi Evropian”.
Institucionalizimi i atyre që më parë ishin EU Desks/Këndet e BE-së dhe transformimi i tyre në Njësi të Integrimit Evropian në çdo bashki, është ilustrimi perfekt i rolit thelbësor që ato do të luajnë gjatë zbatimit të fazës së dytë të projektit.
Mesazhet kryesore të theksuara gjatë gjithë aktivitetit u fokusuan tek zotërimi i procesit dhe qëndrueshmëria. Përfituesit kryesorë dhe partnerë në këtij proces janë AMVV dhe ASPA. Të dy Drejtuesit e këtyre institucioneve shprehën qartë se do të mbeten partnerë kryesorë për të arritur një zotërim më të plotë dhe qëndrueshmëri të procesit nga ana e tyre – komponent i ndërtimit të kapaciteteve përmes ASPA-s dhe institucionalizimit të arkitekturës së Njësive të Integrimit – nga AMVV. Koordinimi me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme gjithashtu do të vijojë përmes mbështetjes së vazhdueshme përgjatë të gjitha fazave për thirrjet për propozime, procedurave për aplikim për projekte dhe menaxhimit të tyre.