“Rinia, Kultura dhe Historia” një pasaportë drejt BE-së. Mesazhet e të rinjve nga Kruja e Skënderbeu, në Ditën e Evropës

  • Posted on: 13 May 2019
  • By: admin

Në kuadër të javës Evropiane, Njësia e Intergrimit në Bashkinë Krujë organizoi aktivitetin “Rinia, Kultura dhe Historia, pasaporta e Shqipërisë për në BE”. E konceptuar si një fushatë sensibilizuese, ku sheshi “Skënderbej” ishte i “veshur” me simbolet e flamurit të BE, 100 të rinj ekselentë në studime, nisën marshimin nga Monumenti i Heroit Kombëtar, deri në Kalanë e Krujës. Qëllimi ishte nxjerrja në pah e rëndësisë së historisë së Shqipërisë dhe pikëprerjeve të kësaj historie me atë të Evropës, e në mënyrë të veçantë rolin që ka patur në këtë bashkim heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti. 

Në Hyrje të Pazarit të Vjetër, u improvizua Këndi i BE, në të cilin 100 të rinjtë diskutuan për mundësitë e tyre për t’u përfshirë në projektet që financon BE, aspiratën e Shqipërisë drejt familjes së madhe evropiane dhe perspektivat e tyre rinore. 

Drejtuesja e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, Znj. Jolanda Trebicka, diskutoi me të rinjtë mbi peshën e natyrshme që ata duhet të kenë në vendim-marrjen publike, mbi thirrjet e shumta që BE me fokus pikërisht rininë, si dhe ftoi të gjithë që të vizitojnë Këndin e BE pranë bashkisë Krujë, për t’u informuar dhe për të aplikuar në këto projekte. 

“Vitin që shkoi, BE ishte përqëndruar në trashëgiminë kulturore, ndërsa këtë vit vëmendja është tek fuqia e të rinjve”, shtoi Znj. Trebicka, teksa fliste për mundësinë më të fundit për të aplikuar për projekte, të cilët në thelb kanë inovacionin.

Z. Bekim Murati, Drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Vetqeverisjes Vendore, në përgjigje të pyetjeve nga të rinjtë, theksoi se qeverisja vendore tashmë është e gatshme për t’iu përgjigjur sfidave të reja që kërkon integrimi ynë në BE. Z. Murati theksoi se e gjithë vëmendja është tek të rinjtë, si dëshmia më e mirë proevropiane e Shqipërisë.

Në fund, mozaiku i vlerave evropiane u plotësua me Ansamblin Kombëtar të Shtetit, ku për 30 minuta performoi në ballkonin e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, duke përcjellë më së miri mesazhin se Rinia, Kultura dhe Historia, janë pasaporta e vërtetë e Shqipërisë për në BE.