BpE dhe ASPA, seminar me zyrtarë të lartë të bashkive të Shqipërisë mbi procesin e integrimit

  • Posted on: 7 July 2020
  • By: admin

7 KORRIK 2020 – Projekti “Bashkitë për në Evropë”, një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me ASPA-n, Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, është duke zhvilluar një Seminar të nivelit të lartë, me sekretarët e përgjithshëm dhe nënkryetarët e 61 Bashkive të Shqipërisë. “Politikat Evropiane në Nivel Lokal” është fokusi i këtij seminari, i cili do të zgjasë për 3 ditë me radhë, dhe do të zhvillohet në formën e një ëebinari, për shkak të situatës me Covid-19.

Në ditën e parë, të pranishmit janë përshëndetur nga Kreu i Zyrës së Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Z. Mario Mariani, Zëvendësministrja e Brendshme, Znj. Romina Kuko, Zv. Ministri i Jashtëm, Z. Sokol Dede, Zv.Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe Znj. Klea Maliqi, drejtore e ASPA-s.

Takimi është moderuar nga Drejtorja e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, Znj. Landa Trebika.

Në fjalën përshëndetëse, Z. Mariani ka vënë theksin tek një nga vlerat themelore të BE, që sipas tij, ka dalë në pah edhe gjatë kësaj kohe të vështirë që po kalon Shqipëria, ashtu si dhe e gjithë bota: Solidariteti! Bashkitë shqiptare kanë treguar bvlerat më të mira të solidaritetit qoftë në ndihmë të komuniteteve, qoftë në bashkëpunimin ndërmjet tyre.

Më tej, Mariani ka thënë se fakti që 70 përqind e legjislacionit të BE zbatohet në nivel lokal, flet vetë për rëndësinë që merr një pjesëmarrje sa më aktive e bashkive në këtë proces. “Bashkitë e Shqipërisë, dhe në mënyrë të veçantë Njësitë e Integrimit Evropian, kanë një rol kyç sa i përket komunikimit dhe informacionit mbi BE, mbi politikat, rregullat dhe standartet”, tha Mariani. Sipas tij, “nuk mund të kishte kohë më të mirë për këtë takim, po të kemi parasysh se së bashku me qeverinë e Shqipërisë po përgatitemi për fazën e negociatave. Ndaj bashkitë duhet të përveshin mëngët, dhe të bëhen gati për të luajtur rolin e tyre aktiv në muajt e ardhshëm”.

Znj Kuko u ka thënë të pranishmëve se “nëse duam ta integrojmë Shqipërinë në BE, nuk mund të integrojmë vetëm Tiranën. Duhen standarte që fillojnë nga demokracia vendore dhe shërbimet për qytetarët”, tha Znj. Kuko. “Falënderoj BpE ka qenë një ndihmë e jashtëzakonshme dhe bashkëpunimi ishte gjëja e duhur që duhej të bënim për të dhënë një dorë në procesin e integrimit, dhe sidomos në institucionalizimin e Njësive të Integrimit dhe bërjen e tyre pjesë integrale të bashkive. Aseti më i rëndësishëm janë burimet njerëzore të krijuara në Njësitë e Integrimit përmes trainimeve, duke fuqizuar kështu rolin e tyre jo vetëm për koordinimin por edhe përmirësimin e shërbimeve dhe informacioneve për komunitetin”, shtoi ajo.

Këtë mesazh ka përforcuar edhe Z. Sokol Dedja, Zv.Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, i cili ka theksuar edhe një herë rolin e rëndësishëm që ka bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe atij qendror tashmë që nis procesi i negociimit të kapitujve, duke shtuar se “forcimi i kapaciteteve të njësive të integrimit vendor merr një rëndësi maksimale, për t’ia dalë mbanë në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së”.

“Integrimi evropian dhe europianizimi udhëhiqen nga qeverisja qendrore. Por duhet që pushteti lokal nëpërmjet bashkëpunimit dhe rrjetëzimit të përfshihet sa më shpejt në proceset vendim marrëse”, u tha të pranishmëve drejtorja e ASPA-s, Znj. Klea Maliqi. Sipas saj, sfida mbetet sërish bashkëpunimi mes aktorëve lokalë për krijimin e koalicioneve për veprime strategjike. Dhe ky bashkëpunim duhet të forcohet mes pushtetit lokal dhe atij qendror për të përballuar sfida edhe më të mëdha”.

Në ditën e parë të seminarit, temat e trajtuara kanë qenë “Roli i Bashkive në Procesin e Integrimit në BE”, trajtuar nga ekspertja Aida Gugu, “Roli i Njësive të Integrimit si dhe Koordinimi i Ndihmës së Huaj në procesin e integrimit”, prezantuar nga drejtuesja e Projektit “Bashkitë për në Evropë”, znj. Jolanda Trebicka, “Mekanizmat financiarë të BE dhe ku mund të përfitojnë bashkitë”, prexantuar nga ekspertja Iva Çoku si dhe “Si të lobojmë për politika lokale në nivel evropian”, prezantuar nga ekspertja mbi BE-në, “Santa Ozolina”.

Trainimi do të vazhdojë për tre ditë me radhë.