"BpE", nis seria e dytë e trainimeve të përfaqësuesve të Njësive të Integrimit Evropian

  • Posted on: 20 May 2019
  • By: admin

Projekti Bashkitë për në Evropë", në bashkëpunim me ASPA ka nisur serinë e trainimeve me përgjegjësit dhe specialistët e Njësive të Integrimit Evropian, në të 61 bashkitë e Shqipërisë.

Në datat 14-15 maj 2019, në Tiranë është zhvilluar trainimi i parë me Grupin e Parë të përfaqësuesve të Njësive të Integrimit Evropian.

Menaxheri i Programit për Qeverisjen e Mirë pranë Delegacionit të BE në Tiranë, Z. Orlando Fusco, u ka theksuar përgjegjësve dhe specialistëve të Njësive të Integrimit Evropian, rëndësinë e shtuar që ata vetë dhe Njësitë që drejtojnë, kanë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 

"Jam i kënaqur që ndodhemi në një fazë ku po kalojmë nga qëndrueshmëria, tek zotërimi i procesit", tha Z. Fusco. "Trainimet janë një prej komponentëve tejet të rëndësishëm që na çojnë në këtë drejtim, një komponent i cili shumë shpejt do të zgjerohet në të gjithë administratën. Ju keni nevojë të përftoni gjithë aftësimin e duhur për të qenë gati kur Shqipëria të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për procesin e integrimit".

Trainimi nuk është kufizuar vetëm në prezantime nga ana e ekspertëve të Projektit, por është organizuar edhe në formën e seancave të pyetje-përgjigjeve, ndarjes së eksperiencave, si dhe në formën e role play, ku përfaqësuesit e NJIE kanë improvizuar situata të ndërveprimit me qytetarët dhe grupet e tjera të interesit në komunitetet e tyre.

Drejtuesja e Projektit, Jolanda Trebicka ka dhënë shpjegime dhe ka bërë një prezantim mbi rolin e Njësive të Integrimit Evropian, si dhe funksionet dhe mënyrën e menaxhimit të tyre. 

Një hapësirë e posaçme i është kushtuar komunikimit të brendshëm dhe komunikimit të jashtëm, si elemente tejet të rëndësishme në funksion të rritjes së vizibilitetit të punës së Njësive dhe Këndeve të BE, që tashmë janë të hapur dhe në funksion të plotë, në të 61 bashkitë e Shqipërisë.

Gjatë seancave të trainimit, përgjegjësit e Njësive të Integrimit Evropian në Bashkitë e Vlorës dhe Përmetit dhe patosit, që kanë qenë pjesë e trainimeve të fazës së parë, kanë prezantuar eksperiencën e tyre dhe ndarë praktika të suksesshme të punës së tyre si koordinatorë lokalë të BE.

Përgjegjësit dhe specialistët e NJIE kanë marrë informacion të detajuar edhe në lidhje me programin Erasmus plus, prezantuar nga Znj. Aida Breti, 

Projekti "Bashkitë për në Evropë" do të vazhdojë serinë e trainimeve të përfaqësuesve të Njësive të Integrimit Evropian, në bazë të një plani trainimesh të miratuar tashmë, në bashkërendim me Delegacionin e BE në Tiranë.