Gjirokastër / “Europe goes back to school” në qytetin e gurtë

  • Posted on: 7 May 2019
  • By: admin

GJIROKASTËR, 7 Maj 2019 - Njësia për Koordinimin e Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj, në Bashkinë Gjirokastër, në bashkëpunim me Europe House organizuan dialogun, “Europe goes back to school” - me përfaqësuesit e Delegacionit të BE-së, përfaqësues të ambasadave të vendeve anëtare të BE-së, organizatave të shoqërisë civile si dhe studentëve të gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër.

Të pranishëm në këtë takim dialogues ishin, Zv/Ambasadori i Hungarisë në Tiranë, Z. Attilla, përfaqësuesi i Ambasadës së Hungarisë z. Gellert, Konsulli Grek i Republikës së Greqisë në Gjirokastër z. Lampros Kakisis, si dhe përfaqësuesja e Delegacionit të BE në Tiranë, znj. Ledia Muço. Takimi u moderua nga përgjegjësja e Njësisë për Koordinimin e Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj, znj. Loena Bakuli.

Përgjatë diskutimit rëndësi të veçantë iu dha përfshirjes së të rinjve në proçesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe politikave gjithëpërfshirëse në arsim si dhe zhvillimit të potencialit dhe aftësive të tyre si një element i rëndësishëm i zhvillimit social dhe ekonomik i vendit.

Të rinjtë gjimnazistë të Gjirokastrës, i drejtuan pyetje panelit kryesisht mbi përmirësimin e kushteve dhe kritereve të lehtësuara për shkollimin e tyre jashtë Shqipërisë pas hapjes së negociatave si dhe përmirësimin e tregut të punës pas përfundimit të ciklit të studimeve, por edhe ndryshimet e tarifave të shkollimit në Universitetet Evropiane.  Më tej pyetjet u fokusuan mbi përshtatjen e legjislacionit kombëtar të arsimit dhe aspektit kulturor me atë Evropian.

Përfaqësuesja e Delegacionit të BE theksoi mbështetjen e Bashkimit Europian në formë investimesh për zhvillimin e potencialeve të të rinjve.

Edhe përfaqësuesit e Ambasadës Hungareze si dhe Konsullatës Greke në Gjirokastër nënvizuan inkurajimin që duhet të japë qeveria për përmirësimin e standarteve në arsim për të mos konsideruar si opsion të vetëm largimin nga vendi dhe studimin jashtë të të rinjve shqiptarë.