Koordinimi i ndihmës së huaj në nivel lokal, drejtuesit e Njësive të Integrimit trainim nga “BpE” & ASPA

  • Posted on: 14 November 2019
  • By: admin

Tiranë, 13 nëntor 2019 – Për dy ditë me radhë, në datat 12 dhe 13 nëntor 2019, Projekti “Bashkitë për në Evropë” në bashkëpunim me ASPA, ka zhvilluar në mjediset e kësaj të fundit, trainimin e radhës me grupin e parë të drejtuesve të Njësive të Integrimit Evropian. Tema e trainimit ishte “Koordinimi i Ndihmës së Huaj në nivel lokal”.
Ekspertë ndërkombëtarë dhe shqiptarë, me eksperiencë të spikatur në fushën e koordinimit të ndihmës së huaj, kanë ofruar për dy ditë me radhë, këshillat me burim përvojën e tyre në këtë fushë.
Znj. Valbona Kuko, ish Drejtore e Departamentit të Strategjive dhe Koordinimit të Donatorëve pranë Këshillit të Ministrave, ka trajtuar me përfaqësuesit e bashkive, çështje të tilla si bashkërendimi dhe koordinimi i proceseve për programimin efektiv dhe strategjik të ndihmës së huaj, koordinimi i punës mes institucioneve, monitorimi dhe raportimi për projektet e financuara dhe sidomos, informimi i qytetarëve dhe grupeve të interesit për ecurinë e punës. Një vend i veçantë gjatë trainimit iu la rëndësisë dhe funksionimit të sistemit të planifikimit të integruar.
Z. Arben Malaj, ish Ministër i Ekonomisë dhe Financave në disa qeveri, me një eksperiencë të spikatur në këtë fushë, ka vënë theksin mbi rëndësinë e qartësimit të objektivave të kryebashkiakëve, që sipas tij “përkthehet në qartësim të kërkesave në marrëdhëniet me donatorët, ndërkohë që parësor duhet të jetë fokusimi në ata që konsiderohen projektet më të rëndësishme për komunitetin”. Siaps Z. Malaj, “duhet që të jeni sa më të përgatitur dhe të ndërtoni kapacitetet tuaja, bashkë me pasurinë tuaj të ekspertëve në nivel lokal, të cilët do të jenë një aset i vyer për përthithjen dhe zbatimin e projekteve të ndihmës së huaj në Shqipëri”.
Z. Zdravko Kozinc nga Instituti ISKRIVA, ekspert ndërkombëetar i Projektit Bashkitë për në Evropë, ka ndarë eksperiencat nga vendet e Bashkimit Evropian, fokusuar sidomos në fushën e planifikimit strategjik dhe financimet e huaja.
Më konkretisht, eksperti ka ndarë praktikat më të mira të institucioneve në vendin e tij, por jo vetëm, në mënyrë të veçantë sa i përket financimit mbi bazë sektori dhe atë mbi bazë projekti, financimet njëpalëshe dhe shumëpalëshe, si dhe projektet e investimeve, ato të asistencës teknike dhe të ngritjes së kapaciteteve.
Gjatë trainimit dy ditor, u fol gjithashtu mbi procesin e negociimit dhe të miratimit të marrëvëshjeve, si atyre dypalëshe ashtu edhe atyre shumëpalëshe, duke u përqëndruar sidomos tek përgatitja dhe negociimi i marrëveshjeve, qoftë atyre qeveritare, qoftë atyre financiare e teknike. Ky shpjegim i Znj. Kuko me praktikat më të mira në Shqipëri, është plotësuar me shembuj konkretë të praktikave më të mira ndërkombëtare nga Z. Kozinc.
Gjatë trainimit, përfaqësuesit e njësive të integrimit të pushtetit lokal i ka përshëndetur edhe drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Z. Bekim Murati, i cili ka theksuar edhe një herë se qoftë vëmendja, qoftë mbështetja e agjencisë që ai drejton nuk do të mungojnë, për të ruajtur vazhdimësinë e punës së bërë deri më sot dhe për të çuar përpara objektivin e konsolidimit të mëtejshëm të Njësive të Integrimit Evropian në të 61 bashkitë e Shqipërisë.
Disa nga problemet kryesore që janë ngritur nga ana e drejtuesve të njësive të integrimit - në trainimin që në pjesën më të madhe u zhvillua në formë bashkëbisedimi - e që sipas tyre kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në punën e përditshme të sekotrëve që mbulojnë në bashkitë ku punojnë, janë ato që lidhen me strukturat e institucionit, vazhdimësinë e punës së stafit dhe mbi të gjitha, mungesën e koordinimit në brendësi të këtyre institucioneve. / bpe.al