Mundësitë që ofron BE dhe sfidat e të rinjve për të përfituar. Seancë diskutimesh në Këshillin Bashkiak të Rrogozhinës

  • Posted on: 5 May 2019
  • By: admin

RROGOZHINË, 5 Maj 2019 - Njësia për Koordinimin e Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj, në Bashkinë Rrogozhinë organizoi një seancë diskutimesh me të rinjtë e qytetit të Rrogozhinës, në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të qytetit.

Të pranishëm në seancën e debatit ishin pjesëtarë të Këshillit Bashkiak, drejtues dhe nëpunës të drejtorive të ndryshme të Bashkisë Rrogozhinë, se dhe përfaqësues të komunitetit.

Duke marrë shkas edhe nga tema e Javës së Evropës për këtë vit, “Fuqia e Rinisë”, të rinjtë kanë diskutuar në lidhje me mundësitë që ofron integrimi në Bashkimin Evropian për ta dhe bashkëmoshatarët e tyre.

Në seancën e diskutimeve u parashtruan shumë ide që burojnë nga nevojat që kanë të rinjtë për t’u dëgjuar më shumë zëri i tyre, nga ana e të zgjedhurve vendorë, ndërkohë që u shprehën veçanërisht të interesuar për të mësuar më shumë mbi rolin që ata vetë duhet të luajnë, në kuadër të integrimit. “Sepse integrimi fillon që nga familja, lagja, komuniteti, qyteti ynë”, u shpreh një nga të pranishmit.

Të rinjtë e Rrogozhinës, pas informacionit që morën nga ana e Njësisë së Koordinimit dhe Ndihmës së Huaj në Bashki, shprehën interes të posaçëm për programet që Bashkimi Evropian vë në zbatim për ta, dhe sidomos për sfidat dhe vështirësitë që ata vetë hasin për të përfituar prej këtyre programeve. Mungesa e një Këshilli Rinor në qytet dhe organizatave jofitimprurëse që do të shërbenin si nxitëse për përftimin prej këtyre programeve nga ana e të rinjve, ishte një prej problemeve, për të cilin u kërkua më shumë angazhim që të shkohet drejt një zgjidhjeje.

Drejtuesja e Njësisë informoi të rinjtë mbi mundësitë e dhëna përmes projektit “Bashkitë për në Evropë”, për marrjen e informacioneve të hollësishme në lidhje me këto programe.

Seanca të tilla informuese dhe diskutimi do të mbahen në mënyrë periodike, me grupe të ndryshme interesi, nga ana e Njësisë për kordinimin e Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj, në Bashkinë Rrogozhinë.