"Trashëgimia kulturore, materiale dhe shpirtërore, pasaporta jonë drejt Europës!" Bashkia Patos, aktivitet me të rinjtë

  • Posted on: 6 May 2019
  • By: admin

Në kuadër të Javës së Europës 2019, Njësia për Integrimin Europian dhe Ndihmën e Huaj pranë Bashkisë Patos, në bashkëpunim me sektorin e Trashëgimisë Kulturore dhe shkollën 9-vjeçare “Sadush Dervishi”, kanë realizuar në fshatin Siqecë të Njësisë Administrative Ruzhdie, aktivitetin me temë: "Trashëgimia kulturore, materiale dhe shpirtërore, pasaporta drejt Europës”.
Resurset materiale, shpirtërore dhe trashëgimia kulturore e zonës u paraqitën në një nga zonat më të bukura të territorit të Bashkisë Patos, pikërisht në Siqecë, fshat i cili është përzgjedhur nga Qeveria Shqiptare në programin e Integruar për Zhvillimin Rural “100 fshatrat”.
Duke qenë se tematika e Javës së Europës 2019 është: "Fuqia e të Rinjve", u zgjodhën posaçërisht të rinj nga Njësia Administrative Ruzhdie, për t'u bërë pjesë e këtij aktiviteti, ku patëm si synim nxitjen tek ta të të mësuarit dhe kulturën e ruajtjes së vlerave të trashëgimisë materiale dhe jomateriale të zonës së Patosit.
Njësia për Integrimin Europian njohu të rinjtë e pranishëm me parimet europiane të fushës, çfarë peshe merr trashëgimia kulturore në politikat e Bashkimit Europian, si edhe me fondet që BE jep në vendin tonë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke qenë besimplotë se këta të rinj do të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë kulturore, dhe e kësaj të fundit në Europë, duke theksuar kontributin e jashtëzakonshëm të trashëgimisë kulturore në zhvillimin e qëndrueshëm.